Korea Veriut, alarm për zi buke

24/02/2011 16:00

Zyrtarë të pesë agjensive huminitare, të sapokthyer nga Korea e Veriut, lajmëruan se situata në vend është dramatike, ndërsa shumë njerëz përballen me mungesën e plotë të ushqimeve apo kequshqyerjen.

Duke folur për mediat ndërkombëtare, ata shtuan se kanë parë me sytë e tyre njerëz që mbledhin bar të thatë për të ngrënë, pasi nuk kanë asnjë burim tjetër ushqimor.

Peniani i ka kërkuar disa shteteve ndihmë ushqimore. OKB dërgoi në terren një grup ekspertësh, për të parë se si është gjendja reale.

Nuk është kjo hera e parë që Korea e Veriut përballet me zinë e bukës, ndërsa në fillimin e viteve 1990, deri në dy milion persona besohet se mund të kenë vdekur nga uria.

Në situatat më dramatike të së shkuarës, njerëzit kanë grumbulluar bar, kashtë dhe ushqime foragjere, për t’i konsumuar në momentet më të vështira.

Ekspertët panë se situata ka mbërritur përsëri deri në këtë pikë ekstreme. Korea e Veriut shpenzon pjesën më të madhe të fondeve shtetëore për nevojat ushtarake apo programet bërthamore, duke neglizhuar tërësisht nevojat bazë të 24 milion qytetarëve që popullojnë vendin.

Top Channel