Gaddafi: Pas protestave është Al-Kaeda

24/02/2011 15:45

Diktatori libian, kolonel Muammar Gaddafi, fajësoi në televizionin shtetëror Osama Bin Ladenin për situatën që është krijuar në vend.

Në një intervistë telefonike të transmetuar pak më parë drejtëpërsëdrerjti, Gaddafi ritheksoi se “të rinjtë që marrin pjesë në këto shkatërrime dhe sabotime janë droguar dhe u është dhënë alkool”.

Kolonel Gaddafi është duke luftuar që të fitojë kontrollin e Triplolit dhe zonave përreth, ndërsa protestuesit kanë një kontroll të plotë në zonat e lindjes së vendit.

Sipas fjalëve të kolonelit 68-vjeçar, protestuesit nuk kanë paraqitur kërkesa të mirëfillta dhe janë duke u udhëhequr prej Al-Kaedës.

Ai theksoi se Libia nuk është si Egjipti dhe Tunizia, ku liderat autoritarë të vendit u rrëzuan nga protestat, për arsyen e vetme se libianët kanë në dorë të ndryshojnë fatin e tyre, nëpërmjet punës dhe përkushtimit.

”Ky është vendi ynë dhe nuk duhet ta shkatërrojmë”, theksoi Gaddafi, që përsëriti gjithashtu kërkesën e drejtuar ndaj familjeve libiane, që të kontrollojnë djemtë e tyre, duke theksuar se shumë prej pjesëmarrësve në demonstrata janë minorenë.

Top Channel