Bogdani, “bomberi” i tretë në Serinë A

24/02/2011 11:50

Edhe pse Çezena po vuan në vendin e parafundit të klasifikimit në Serinë A, duke rrezikuar seriozisht rënien një kategori më poshtë, Erjon Bogdani është ndër të paktët që ka treguar gjëra pozitive në këtë sezon.

Me lojën në ndihmë të skuadrës, ai cilësohet më tepër si një lojtar që punon për shokët dhe nuk shënon mjaftueshëm, duke u sakrifikuar më shumë nga sa duhet në duelet në mesfushë. Një çështje relative: ky vlerësim do të qëndronte nëse kujton se Bogdani ka realizuar vetëm gjashtë gola në 26 ndeshje të luajtura në këtë sezon, ku në total ka qëndruar 2.027 minuta në fushë.

Por, një studim i pazakontë për ndeshjet e luajtura deri më tani në ligën italiane e ka klasifikuar 33-vjeçarin kuqezi mes “bomberave” më të mirë të kampionatit për sa u takon aftësive realizuese. Kjo për shkak të përqindjes së golave të realizuar në krahasim me rastet që i janë krijuar përpara portës kundërshtare.

Sulmuesi shqiptari e sheh veten në vendin e tretë të këtij klasifikimi special, përkrah “bomberave” me famë botërore si Kavani, Eto’o, Di Natale, Pato apo Krespo. Ndërkohë, ai ka lënë pas vetes emra si Xhilardino, Mikoli, Vuçiniç, Del Piero, Mutu, Kasano, Diego Milito, Laveci e shumë yje të tjerë të Serisë A.

Top Channel