BE, politikë e përbashkët për emigracionin

24/02/2011 16:05

Vendet e jugut të Bashkimit Europian i kanë kërkuar pjesës tjetër të strukturës me 27 vende që të ndajnë së bashku peshën e emigrantëve klandestinë, ndërsa një fluks i ri pritet të mbërrijë nga Afrika e Veriut.

Italia, Franca, Spanja, Qipro, Malta dhe Greqia do të paraqesin një propozim të përbashkët përballë Ministrave të Brendshëm të të gjithë vendeve në Bruksel.

Siç raportoi e përditshmja franceze “Le Monde”, të gjithë këto vende kanë si objektiv formimin e një sistemi të përbashkët për azilin.

Italia paralajmëroi disa ditë më parë se kaosi në Libi mund të provokojë një eksod me përmasa biblike, me 300 mijë libianë që mund të mbërrijnë si emigrantë të paligjshëm në Bashkimin Europian.

Ekzistojnë raportime se më shumë se një milionë emigrantë nga shtetet e Afrikës sub-Sahariane, ndodhen aktualisht në Libi, me shpresën që të arrijnë deri në Europë.

Shumë prej tyre mund të jetë emigrantë politikë, jo vetëm ekonomikë, kështu që vendet e Europës do të kenë për detyrë që t’i strehojnë, në bazë të ligjeve ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut dhe të drejtën e azilit.

Javën e kaluar, më shumë se 5 mijë emigrantë tunizianë mbërritën në ishullin italian të Lampeduzës, i cili ndodhet shumë pranë brigjeve të Afrikës së Veriut.

Edhe pse Lampeduza është një ishull shumë i vogël dhe shumë pak i banuar, ai është shndërruar në portën hyrëse të Europës për shumë afrikanë të varfër.

Top Channel