B.Fildishtë, zyrtarisht në luftë civile

24/02/2011 15:35

Luftime kanë shpërthyer sot në perëndimin e Bregut të Fildishtë, duke prishur një paqe 6-vjeçare midis rebelëve dhe forcave qeveritare, lajmëroi Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Një zëdhënës i OKB-së lajmëroi se luftime të ashpra janë zvilluar pranë një fshati të quajtur Teapleu, në orët e para të mëngjesit, ndërsa ky mund të jetë akti i parë i një lufte të përgjakshme civile në vendin afrikan.

Bregu i Fildishtë është prej tre muajsh në një krizë të thellë politike, pasi presidenti Laurent Gbagbo refuzon të largohet nga pushteti, pavarësisht se humbi në zgjedhjet presidenciale, ndaj kundërshtarit Alassane Ouattara.

Vendi ndodhet në një kolaps bankar, përballet me një bllokadë ekonomike, mosnjohje ndërkombëtare dhe me përleshje që kanë shkaktuar me qindra të vdekur që prej nëntorit.

”Është një shqetësim shumë serioz, pasi sot u thye paqja për herë të parë që prej gjashtë vitesh”, deklaroi Hamadoun Toure, zëdhënësi i misionit të OKB-së në Bregun e Fildishtë.

”Diçka e tillë do të ndryshojë natyrën e tensioneve, pasi deri tani kemi qenë dëshmitarë të vetëm përballjeve të civilëve me ushtrinë, por tani janë dy ushtri që përballen me njëra tjetrën dhe situata ndërlikohet me të vërtetë shumë”.

20 persona kanë vdekur në përleshje me ushtrinë, në kryeqytetin Abidxhan, që prej fillimit të javës.

Top Channel