Assange, gjykata e Londrës merr vendimin

24/02/2011 16:45

Ka marrë fund pa ndonjë surprizë të madhe pjesa e parë e sagës së ekstradimit të Julian Assange në Suedi.

Sic edhe pritej, gjykata e ekstradimeve në Londër ka pranuar kërkesën e drejtësisë suedeze për të ekstraduar nga Anglia themeluesin e Wikileaks.

Howard Riddle, gjykatësi që mori në shqyrtim kërkesën e ekstradimit, tha se deri në këto momente prokuroria suedeze është në fazën e hetimit rreth pretendimeve të dy grave, më pas do të ketë një vendim për ngritjen e akuzave.

Më tej gjatë leximit të vendimit, gjykatësi Riddle u shpreh se kërkesa suedeze bazuar në urdhër-arrestin europian, është e vlefshme por është ende e paqartë përse ishte e pamundur që Assange të  merrej në pyetje nga hetuesit e cështjes.

Sipas tij, vërehen elementë se Julian Assange qëllimisht ka evituar përballjen me marrjen në pyetje nga prokurorët, që është edhe thelbi i kërkesës së ekstradimit.

“Si jo të besueshëm dhe të varfër në argumenta”, kështu i ka cilësuar gjykatësi personat që dëshmuan në favor të ish-hacker-it australian.

Pretendimeve të mbrojtjes për gabime në hetimin e kësaj cështjeje gjykatësi Riddle i ka dhënë këtë përgjigje: “Nëse janë bërë gabime në sistemin hetimor suedez, atëherë vendi më i përshtatshëm për t’i ekzaminuar ato është gjykata suedeze”.

Ndërsa për një kërkesë të mundshme në SHBA për ta ekstraduar atje Assange, gjykatësi tha se përpara se të ndodhë një gjë e tillë sekretarja britanike e Punëve të Brendëshme dëshiron të konsultohet me gjykatën suedeze.

Ndryshe nga seancat e tjera kur Assange ka dëgjuar i qetë zhvillimin e gjyqit, sot tek njeriu që tronditi diplomacinë amerikane me publikimin e kabllogramëve, dallohej qartë nervozizmi, legjitim në të tilla momente. Ekipi mbrojtës i Julian Assange deklaroi në gjykatë se vendimi i sotëm do të apelohet menjëherë.

Top Channel