Ahmadinexhad: Dëgjoni popullin

24/02/2011 03:50

Shtypja me forcë e protestave në Teheran dhe vrasja e disa protestuesve, nuk e ka penguar presidentin iranian, Mahmud Ahmadinexhad të këshillojë liderët e vendeve në Lindjen e Mesme që të dëgjojnë zërin e popullit të tyre.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Iran citon presidentin e Republikës Islamike i cili thotë se liderët duhet të dëgjojnë zërin e popullit dhe ta lejojnë atë të shprehë mendimet e tij. Ahmadinexhad këshilloi gjithashtu, se për të evituar gjakderdhjen duhet që liderët e vendeve ku mbahen protesta popullore, në vend që t’i kundërshtojnë protestat me plumba, t’i mbështesin ato.

Ahmadinexhad vijon më tej në deklaratën e tij duke komentuar ngjarjet vecanërisht në Libi, ku shpreh tronditjen e tij të thellë se si lideri i një vendi mund të vrasë popullin e vet dhe të kërcënojë me jetë këdo që guxon të hedhë një fjalë kundër tij.

Teherani, para pak ditësh u kthye në arenë përleshjesh mes protestuesve të cilët kërkojnë largimin e Ahmadinexhad dhe forcave të sigurisë. Burime informative kontradiktore folën për dhjetra të vdekur e qindra të arrestuar. Lajmet për viktimat, citojnë mediat ndërkombëtare, është e vështirë të konfirmohem pasi Republika Islamike është kthyer në një vend hermetik përsa i përket informacionit.

Top Channel