Tirana, Gilman Lika te Tun?

23/02/2011 12:05

Edhe pse periudha e transferimeve ka përfunduar, te Tirana është krijuar një intrigë e denjë për merkaton e verës.

Në qendër të spekulimeve janë dy prej emrave më të spikatur të bardhebluve, mesfushori me tipare sulmuese, Gilman Lika dhe kapiteni Andi Lila.

Për shkodranin, që diçka më tepër se para pesë javësh firmosi me 24-herë kampionët, pas prishjes së kontratës me turqit e Dijarbakirsporit, në skenë është shfaqur Tun. Madje, sipas sajteve të specializuara në transferimet e futbollistëve, klubi i Superligës zvicerane ka siguruar shërbimet e 24-vjeçarit.

“Goditje e Tun: Nga Tirana vjen Lika. Mesfushori i Kombëtares shqiptare është një lojtar i ri i skuadrës së Superligës. Ai ka qenë mjaft pranë transferimit të Frajburgut, por zgjodhi kampionatin zviceran”, theksonte “calciomercato.com”.

Megjithatë, Lika ka hedhur poshtë gjithçka. Lojtari, i cili ka firmosur kontratë dyvjeçare me Tiranën, theksoi se bëhet fjalë për një sajesë. “Kjo nuk është e vërtetë. Madje, është hera e parë që e dëgjoj diçka të tillë. Bëhet fjalë vetëm për një sajesë, pasi personalisht nuk kam pasur asnjë kontakt. Unë jam lojtar i Tiranës dhe mendoj vetëm të jap maksimumin për skuadrën time, për të arritur ata objektiva që janë përcaktuar”, deklaroi mesfushori kuqezi.

Spekulimet rreth Tiranës nuk përfundojnë me kaq, pasi në qendër të vëmendjes është edhe mbrojtësi Andi Lila. Të hënën që sapo kaloi, klubi bardheblu ka refuzuar ofertën e Dinamos së Bukureshtit, që kërkonte shërbimet e kapitenit të kryeqytetasve. Rumunët kanë mbetur të mahnitur nga kualiteti i Elis Bakajt dhe janë bindur të afrojnë edhe një tjetër prej elementëve më të “kuotuar” në Superiore.

Por, edhe pse kanë hasur në pengesën e presidentit Halili, i cili ka vendosur që Lila të qëndrojë deri në fund të sezonit, nga Bukureshti këmbëngulin. Kur mbeten vetëm katër ditë nga starti i pjesës së dytë të kampionatit në Rumani, Dinamo vazhdon të shpresojë se do të gjejë një marrëveshje për Lilën përpara fundjavës. Madje, edhe pse janë vetëm zëra të pabazuar, është përfolur se në orët në vazhdim, 25-vjeçari që është shndërruar në një prej lojtarëve kryesorë të përfaqësueses shqiptare mund të paraqitet për të mbyllur marrëveshjen. Trajneri Ioan Andone dha “ok”-jin pasi ka vëzhguar disa “dvd” të ndeshjeve të mbrojtësit, që në këtë sezon ka shënuar 4 gola me Tiranën.

Nëse transferimi nuk do të realizohet në ditët në vazhdim, Dinamo e Bukureshtit do të monitorojë situatën e Lilës, me shpresën se do ta afrojnë lojtarin me kosto zero në fund të sezonit.

 

Top Channel