Rikthehet Inter-Bayern

23/02/2011 14:45

Sonte në mbrëmje do të jetë akti i dytë i Inter-Bajern Mynih.

Dy skuadrat që sezonin e kaluar u ndeshën për trofeun më të rendësishëm europian për klube, do të përballen sërish, por këtë herë për një vend në çerekfinalet e Ligës së kampioneve.

Ndeshja tjetër e mbrëmjes do të luhet në stadiumin Velodrom të Francës, mes Olimpik Marsej dhe Mançester Junajtid.

Finalja e sezonit të kaluar në Ligën së Kampioneve, Inter-Bajern Mynih, rikthehet sonte në mbrëmje, por këtë herë e vlefshme për fazën e 1/8 të finaleve. Protagonisti i Madridit, Diego Milito do të mungojë për shkak të dëmtimit, ndërkohë që lajmi i mirë për Leonardon është rikthimi në formacion i Lucios dhe Uesli Shnajderit.

Tekniku brazilian ka pohuar se këtë herë Interi do të jetë ndryshe nga ai i 9 muajve më parë në Santiago Bernabeu. “Para disa muajsh, Interi luajti me një tjetër taktikë ndaj Bajernit. Këtë radhë do të bëjmë ndryshime në sistemin tonë të lojës. Nuk mund të parashikoj se çfarë do të ndodhë në këtë sfidë, sepse si Interi ashtu dhe Bajerni janë skuadra shumë të forta dhe me shumë traditë. Gjithsesi ne do të luajmë në këtë përballje si skuadra kampione”, është shprehur Leonardo.

Kundërshtari i tij, Luis van Gaal, ka pohuar para ndeshjes se vendasit janë favoritë, por kjo gjë nuk do t’i pengojë bavarezët të kërkojnë fitoren në San Siro.

Përballja tjetër e mbrëmjes do të jetë Olimpik Marsejë – Man Utd. Trajneri i francezëve, Didier Deshamps, ka thurur elozhe për United, ndërkohë që për Sër Aleks Ferguson ndeshja është shumë e hapur, pavarësisht se skuadra e tij shihet si pretendente për të fituar.

 

Top Channel