OKB: Ndal dhunës në Libi

23/02/2011 13:35

Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka dënuar përdorimin e forcës kundër protestuesve në Libi dhe thotë se personat përgjegjës për të, duhet të japin llogari.

Në deklaratën e organit të Kombeve të Bashkuara të ngarkuar me ruajtjen e paqes dhe sigurisë, kërkohet fundi i menjëhershëm i dhunës në vendin afrikano-verior, prej 42 vitesh nën sundimin e kolonel Muamar Gaddafit.

300 vetë janë vrarë deri tani gjatë rebelimit, vazhdë e demonstratave pro-demokracisë që kanë përfshirë disa vende arabe.

Këshilli thotë se liderët libjanë duhet t’i dëgjojnë kërkesat legjitime të popullit të vet.

“Anëtarët e Këshillit të Sigurimit përcollën një shqetësim të thellë për situatën e krijuar në Libi. Ata dënuan njëzëri përdorimin e dhunës mbi civilët dhe shprehen keqardhje për qindra viktimat e represionit ndaj demonstruesve paqësore. Anëtarët apelojnë për fundin e menjëhershëm të këtyre veprimeve dhe masa që të çojnë në zgjidhjen e kërkesave të popullit libjan, përfshirë këtu dialogun kombëtar”, deklaroi Maria Viotti, ambasadore e Brazilit në OKB dhe presidente e KS-së.

“Është një deklaratë shumë e fortë. Të 15 anëtarët e Këshillit u pajtuan me të dhe mendoj se është e fuqishme si në përmbajtje, ashtu edhe për faktin se percjell një mesazh në të cilin i gjithë komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar”, tha Mark Lyall Grant, ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në OKB.

Ishte misioni i Libisë në OKB që kërkoi ndërhyrjen e Këshillit të Sigurimit me shpresën se organizata do të arrijë të detyrojë vendosjen e një zone ndalim-fluturimi për të mbrojtur civilët.

“Dua ta falenderoj Këshillin e Sigurimit për veprimin e tij. Mendoj se deklarata mund të kishte qenë edhe më e fortë se kaq, por ajo përsëri i dërgon një mesazh të fuqishëm regjimit në Libi që të ndalojë gjakderdhjen”, tha Ibrahim Dabbashi, zëvendësambasador i Libisë në OKB.

Gaddafi vazhdon të shfaqet mospërfillës. Më herët, koloneli u bëri thirrje mbështetësve të sulmojnë ata “minj”, siç i quajti ai, që demonstrojnë kundër regjimit të vet.  

“Kushdo që ngre armët kundër Libisë do të ekzekutohet”, deklaroi 74 vjeçari duke shtuar se do të luftonte deri në pikën e fundit të gjakut.

Ministri i Brendshëm, Abdel Fatah Yunes, iu bashkua një numri zyrtarësh të lartë që kanë dhënë dorëheqjen dhe u bëri thirrje Forcave të Armatosura të bashkohen me kryengritjen kundër Gadaffit.

Top Channel