As në muajin mars nëpunësit civilë nuk do të marrin pagat me rritje nga 30 dhe 50% ashtu sic ishte premtuar kryeministri Hashim Thaci gjatë fushatës elektorale në Kosovë.
Edhe pse premtimi ishte bërë vendim i qeverisë, kryeministri i porsazgjedhur gjatë mbledhjes së parë të kabinetit të ri tha se, pagat për muajin mars nuk do të ndryshojnë pasi buxheti ende nuk është miratuar.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë Hajredin Kuci siguroi se vendimi i qeverisë për rritje të pagave do të zbatohet.
Duke uruar stafin e tij të ri, kryeministri i sapozgjedhur tha se, institucionet e reja janë më kredibilet që ka pasur ndonjëherë Kosova në historinë politike. Ai e quajti qeverinë e kaluar si më të mirën e vendit, ndërsa ekzekutivin e ri e cilësoi si qeveri të integrimeve.
Kryeministri Thaci foli edhe për dialogun me Serbinë. Ai i bëri thirrje opozitës dhe shoqërisë civile për rindërtimin e shtetit.
Sipas tij, qeveria është e gatshme për dialog, mirëpo pa prekur cështjen e statusit dhe integritetit territorial. Në mbledhjen e ardhshme pritet të bëhet publik programi i qeverisë.
Top Channel