Libi, rritet presioni mbi Gaddafi-n

23/02/2011 15:05

Presioni për t’u larguar është gjithmonë e më i madh për kolonel Gaddafi-n, pasi kominiteti ndërkombëtar ka dënuar ashpër dhunën në Libi dhe disa zyrtarë të lartë kanë dhënë dorëheqjen.

Njeriu i konsideruar si dora e djathtë e kolonelit, Ministri i Brendshëm, Abdel Fattah Younes al-Abidi, është midis figurave kyçe që i janë bashkuar opozitës.

Disidentë të ndryshëm i thanë BBC-së se është reale mundësia e një grushti shteti ndaj Gaddafi-t, por lajmi nuk është konfirmuar me burime zyrtare.

Këshilli i Sigurisë së OKB-së ka kërkuar në mënyrë urgjente ndërprerjen e dhunës, ndërsa Liga Arabe ka përjashtuar nga gjiri i saj Libinë, edhe pse kjo e fundit ishte presidentja në fuqi.

Fjalimi i ashpër i Gaddafi-t, një ditë më parë, ka ndezur edhe më shumë gjakrat në Libi, ndërsa protestat vazhdojnë edhe më të fuqishme gjatë ditës së sotme.

Të shtëna me armë dëgjohen aktualisht në Tripoli, ndërsa burime të pakonfirmuara thonë se numri i viktimave në këto ditë revoltash antiqeveritare mund të ketë kaluar kotën e 1 mijë personave.

Top Channel