Libi, qytetet lindore festojnë “çlirimin”

23/02/2011 16:55

Diktatori libian, Muammar Gaddafi, është duke luftuar që të marrë kontrollin e Tripolit dhe të qyteteve të mëdha në lindjen e vendit, të cilat kanë rënë tërësisht në duart e protestuesve të entuziasmuar.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, mbështetës të armatosur të Gaddafi-t patrullojnë në rrugët e shkretuara të kryeqytetit, por shkëmbimi i vazhdueshëm i zjarrit tregon se ka ende lëvizje rebeluese në Tripoli.

Qyteti i dytë dhe i tretë më i madh në vend, Benghazi dhe Al-Bajda, të ndodhur në lindje të Libisë, raportohet të jenë tërësisht në duar të protestuesve, ndërsa revoltat po shpërthejnë edhe pranë Tripolit, në qytetet e Misuratës, Sabrathës dhe Zavijës.

Në qytetet lindore, janë mbajtur festime, me bindjen se trupat e Gaddafi-t nuk do të kthehen më kurrë dhe se një regjim i ri demokratik është shumë pranë instalimit në vend.

Ndërkohë, me dhjetëra mijëra të huaj janë larguar nga Libi me urgjencë, ndërsa disa media përflasin më shumë se 1 mijë viktima në protestat antiqeveritare.

Top Channel