Gjykata Kushtetuese u jep fund me shtatë anëtarë pro, një mendim paralel dhe një kundër, debateve që shoqëruan gjithë vitin 2010 për ligjin aq shumë të diskutuar “antimafia”, ose “ligji për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kështu me shumicën e anëtarëve kërkesën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, i cili kërkonte shfuqizimin e tij, pasi e cilësonte si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe Konventën evropiane të të drejtave të njeriut.
Për të shumëdiskutuarin neni 3, paragrafi 1 i ligjit antimafia, për të cilin Komiteti Shqiptar i Helsinkit pretendonte se shprehja “dyshim i arsyeshëm i bazuar në indicje” cënon të drejtën për një proces të rregullt gjyqësor, Gjykata Kushtetuese vëren se dispozitat e këtij ligji zbatohen për pasuritë e personave mbi të cilët ekziston një dyshim i arsyeshëm, për pjesëmarrje në organizatë kriminale apo grupe të strukturuara kriminale, pjesëmarrje në organizatë terroriste ose banda të armatosura, për krime për qëllime të fitimit të pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme.
Ndaj, vijon Gjykata Kushtetuese, kriteri i dyshimit të arsyeshëm lidhet me garancitë kushtetuese për privimin e lirisë, duke arritur kështu në përfundimin se ligji nuk shkel Kushtetutën.
Në lidhje me pretendimet e palës kërkuese së ligji antimafia shkel sërish disa elementë të procesit të rregullt, sikurse e drejta e aksesit efektiv në gjykatë, barazinë për t’u gjykuar, shkeljen e prezumimit të pafajësisë duke bërë kështu kalimin e barrës së provës nga organi i prokurorisë tek personi ndaj të cilit do të zbatohet masa, Gjykata Kushtetuese gjithësesi ka bërë një saktësim mbi interpretimin, duke kaluar më parë barrën e provës mbi prokurorinë e më pas mbi individin.
“Neni 21 për kriteret për konfiskim të pasurisë dhe barrën e provës shprehet se masa e konfiskimit vendoset me kërkesë të prokurorit, i cili i paraqet gjykatës arsyet ku bazohet kërkesa. Barra e provës më pas i kalon personit, i cili duhet të vërtetojë që pasuria është fituar në mënyrë të ligjshme. Kërkuesi pretendon se ligji shkel parimin e prezumimit të pafajësisë duke kaluar barrën e provës te personi, ndaj pasurisë së të cilit janë marra masa parandaluese. Gjykata e ka interpretuar prezumimin e pafajësisë në kuptimin që gjykatat e zakonshme nuk duhet ta fillojnë procesin me bindjen se i pandehuri ka kryer krimin për të cilin akuzohet, se barra e provës i takon palës akuzuese, se cdo dyshim duhet të shkojë në favor të të pandehurit, se gjykata duhet të mbështesë vendimin në prova të drejtpërdrejta dhe të tërthorta që duhet të provohen nga akuza”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.
Gjykata shprehet në vendimin e saj se nuk shikon shkelje të të drejtave të njeriut, nuk shikon cënim të së drejtës së ruajtjes private, duke vendosur kështu rrëzimin e kërkesës së Komitetit Shqiptar të Helsinkit gjashtë muaj pas nisjes së shqyrtimit të kësaj kërkese në Kushtetuese.
Ligji antimafia hyri në fuqi në janar të vitit të kaluar, ndërsa pas polemikave politika pati reagim edhe nga Konfindustria, e cila dha alarmin se disa nene të këtij ligji mund të rrezikonin edhe pasuritë e emigrantëve të cilët nuk do kenë si t’i arsyetojnë ato.
Top Channel