Kajro, zjarr zyrave të arkivit

23/02/2011 17:15

Gjashtë automjeteve u është vënë flaka jashtë selisë së Ministrisë së Brendshme në Kajro ditën e sotme.

Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes thanë se zjarri është shkaktuar nga policë të pakënaqur që kërkojnë t’u kthehet vendi i punës. Nga ana e tyre autoritetet nuk e kanë komentuar ngjarjen.

Ndërkohë, një burim pranë forcave të sigurisë deklaroi më herët se një zjarr kishte rënë në një ndërtesë që përdorej si arkivë për provat kriminale, në afërsi të Ministrisë së Brendshme.

Tanket dhe ushtarët vazhdojnë të mbajnë nën kontroll zonat kryesore të kryeqytetit të Egjiptit, pas rënies së Hosni Mubarak në ditën e 18 të protestave, gjatë të cilës u dogj selia qendrore dhe komisariatet e policisë.

Policë dhe ushtarë të veshur civilë rrethuan zonënë përreth ministrisë ditën e sotme, duke zmbrapsur qindra persona që kishin ardhur për të parë automjetet që digjeshin.

Ministria e Brendshme është rrethuar nga automjetet ushtarake që kur forcat e armatosura u vendosën në rrugët e Kajros më 28 janar.

Top Channel