Itali, frikë për 350 mijë emigrantë libianë

23/02/2011 18:30

Situata e tensionuar në Libi ka bërë që Italia të përgatitet për mundësinë e një vale të re emigracioni.

Mbi 20 mijë tunizianë zbarkuan në brigjet e Italisë gjatë muajit të fundit, ndërsa qeveria e Ben Ali-së u rrëzua, por nëse edhe regjimi i Gaddafi-t do të bjerë, atëherë përmasat e krizës mund të jenë shumë të mëdha.

Ministri i Jashtëm i Italisë, Franco Frattini, duke folur përpara Parlamentit Italian gjatë mëngjesit të sotëm, tha: “Nëse Libia do të përfshihet në kaos nëse sistemi do të rrëzohet, mund të përballemi me një alarm të vërtetë emigracioni.

Këtu flasim për të paktën 300-350 mijë emigrantë, të cilët do të përpiqen të arrijnë në territorin italian, për t’u shpërndarë më pas në Europë, edhe pse është e qartë që shumica do të tentojnë të mbeten në Itali.

Kjo është një situatë me të cilën nuk mund të përballemi të vetëm dhe është përgjegjësia e të gjithë Bashkimit Europian që t’i bëjë ballë një krize të mundshme.

Është e rëndësishme që në çdo situatë, BE të punojë për të siguruar rendin dhe një qeveri funksionale në Libi. Sikur vetëm 10% e popullsisë libiane të tentojë të emigrojë, do të ishte një valë e paprecedent për Bashkimin Europian”.

Libia është një vend me 6,4 milion banorë dhe të ardhura mesatare për frymë prej 12 mijë eurosh për person në vit, dy herë më të larta se të Shqipërisë, por deri 3-4 herë më të ulta se vendet më të zhvilluara të BE-së.

Top Channel