A.Saudite, investime për të shmangur revoltat

23/02/2011 15:10

Mbreti Abdullah, autoriteti më i lartë në Arabinë Saudite, premtoi rritjen e fondeve për trajtimin mjekësor, shërbimet shëndetësore, asistencën sociale dhe bursat shkollore, në atë që u konsiderua si një përpjekje për të ulur rrezikun e revoltave popullore.

86-vjeçari u rikthye në vend pas një turi 3-mujor, kohë gjatë të cilës situata në Lindjen e Mesme ka ndryshuar në mënyrë drastike.

Ai premtoi këto ndryshime në një fjalim të mbajtur në aeroportin e kryeqytetit Riad, ndërsa me qindra burra me veshje tradicionale, festonin me kërcime mbërritjen e Abdullahut.

Disa demonstrime spontane kanë ndodhur në vendin e parë të eksportit të naftës në botë. Një prej këtyre protestave, nisi pasi një 60-vjeçar i varfër i vuri flakën vetes, me argumentimin se nuk mund të duronte dot të jetonte në ato kushte të skamjes.

Arabia Saudite është një prej vendeve më të pasura në botë, por përfitimet e naftës i shkojnë një grupi të privilegjuar njerëzish dhe standarti i jetesës së popullit është i mesëm ose i ulët.

Top Channel