Van Gaal: Luajmë për fitore

22/02/2011 20:10

Në prag të së përballjes me Interin, në një ndeshje vlefshme për raundin e një të tetave në Champions League, trajneri i Bayern Munchen, Louis Van Gaal, kritikoi punën e Leonardo-s dhe u shpreh optimist mbi mundësitë e bavarezëve për t’u kualifikuar.

”Interi nuk ka ndryshuar shumë dhe vazhdon të luajë ashtu si një vit më parë, duke u bazuar tek mbrojtja. Edhe në ndeshjen e luajtur në kampionat me Cagliarin, një skuadër inferiore, ata u mbyllën pas për të siguruar fitoren, ndonëse luanin përpara publikut të tyre”, deklaroi Van Gaal, në një konferencë për shtyp.

”Ne luajmë kundër çdo kundërshtari me qëllimin që të fitojmë, pasi jemi një skuadër e madhe, por është e qartë që do të luajmë në shtëpinë e kampionëve të Europës, prandaj ata do të jenë që do të nisen si favoritë”.

Gjithashtu i pranishëm në konferencë për shtyp, mesfushori Schweinsteiger, thelloi polemikat, duke theksuar se midis të dy skuadrave të Milanos, Interi është më e dobëta.

”Sipas meje, tek Interi nuk ka asnjë emër që të fut frikën, por nuk do të mund të thoja të njëjtën gjë edhe për Milanin. Të fitojmë në transfertë do të ishte maksimumi, por në çdo rast është e rëndësishme të shënojmë. Edhe një 0-0 nuk do të ishte keq”.

Top Channel