OSBE: Zgjedhjet brenda afatit

22/02/2011 15:50

Ambasadori  i OSBE-së në Shqipëri Eugen Wollfarth ka zhvilluar një vizitë në qytetin e Elbasanit, duke realizuar  një takim në Bashkinë e Elbasanit dhe Prefekturë.

Në lidhje me zgjedhjet e 8 majit, zoti Wollfarth u shpreh se nëse 66 komisionet pajisen plotësisht, atëherë do të ketë një shpërndarje të barabartë, 3 anëtarë opozita, 3 mazhoranca dhe 1 anëtar i përket një partie tjetër.

“Është vënë re që disa parti i kanë emëruar kandidatët dhe disa të tjera jo, por kjo nuk çon në pengim të zgjedhjeve të 8 majit, ditë kjo e përcaktuar nga presidenti. Fakti që disa parti nuk përmbushin përgjegjësitë e tyre, përbën një shqetësim dhe pengon transparencën e zhvillimin demokratik në vend. Nëse  KZAZ-të do t’i kishin të 7 anëtarët për 4 partitë e ndryshme, do të ishte një kontribut për transparencën. Kjo nuk kufizohet nga fakti që disa parti nuk kontribuojnë dhe u bëj thirrje këtyre partive që të jenë pjesë e zgjedhjeve të drejta e transparente duke dhënë kontributin e tyre”, është shprehur Wollfarth.

Në lidhje me lënien e vendeve vakante nga komisionerët e opozitës, ambasadori Wollfarth u shpreh se ky është një vendim politik.

“Qytetarët kanë të drejtë për të votuar partitë politike duhet të japin kontributin e tyre pasi në të kundërt mbetet që KQZ-ja të gjejë një zgjidhje alternative për të respektuar ditën e zgjedhjeve në 8 maj. KQZ-ja ka bërë një deklaratë për vendet vakante, por mbetet ende për të shpresuar pasi ka ende kohë”, tha Wollfarth.

Arsyeja e  vizitës në Elbasan e zotit Wollfarth ishte për objektiva turistike. Sipas tij, qyteti është një vend atraktiv dhe se ai kërkon të njihet me historinë e këtij vendi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA