Komisioni parlamentar i ligjeve ka miratuar sot projektligjin për kufizimin vullnetar të imunitetit nga ana e deputetëve.
Sipas informacioneve të fundit, miratimi është bërë vetëm me votat e deputetëve të mazhorancës.
Ata të opozitës, pas një seri debatesh kanë braktisur mbledhjen e komisionit, i cili ka miratuar i vetëm edhe ndryshimet në rregulloren e Kuvendit.
Në këtë projektligj janë përfshirë edhe dy amendamente të propozuara nga deputeti demokrat Eduart Halimi.
“Kur deputeti pengon zhvillimin e seancës parlamentare, atëherë atij i tërhiqet vëmendja. Ndërsa nëse deputeti mban të zaptuar foltoren më shumë se dy minuta, atëherë ai përjashtohet për 21 ditë”, ka deklaruar Halimi.
Para se të braktisnin sallën, përfaqësuesit e PS i kanë cilësuar si absurde këto ndryshime.
Deputeti Pandeli Majko ka deklaruar se kriza politike nuk zgjidhet në këtë mënyrë. “Ndryshimet në rregullore po bëhen për t’i mbyllur gojën opozitës”, ka thënë Majko.
Top Channel