Libi, trupat e të vrarëve dergjen në rrugë

22/02/2011 15:25

Demonstruesit e vrarë janë lënë të dergjen në rrugët e kryeqytetit libian të Tripolit, në atë që është një përpjekje e autoriteve për të frikësuar protestuesit, deklaroi “Associated Press”.

Duke iu referuar dëshmitarëve që “AP” ka mundur të kontaktojë, forcat e rendit qëllojnë këdo që guxon të kalojë përpara tyre, ndërsa qytetarë të frikësuar janë izoluar në banesat e tyre.

Disa orë më parë, koloneli Gaddafi u paraqit në televizionin publik, duke siguruar se është ende në drejtimin e vendit dhe se ka ndërmend të shtypë me çdo kusht protestat që synojnë të rrëzojnë “rendin kushtetues”.

Revoltat kanë përfshirë prej disa ditësh qytetet kryesore libiane, me njerëzit që shprehin dëshpërimin e tyre të thellë për papunësinë e lartë, kushtet e vështira të jetesës dhe mungesën e demokracisë në vend.

Megjithatë, Gaddafi ka rezufuar që të negociojë me protestuesit, duke i cilësuar ata si të paguar nga jashtë, islamistë apo të droguar.

Sipas “Human Rights Watch”, të paktën 250 persona kanë humbur jetën në javët e protestave në Libi, por raportimet e fundit shqetësuese do të thonë se numri i vërtetë i viktimave mund të jetë edhe disa qindra më i lartë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA