Muhamar Gedafi është lideri që ka kaluar një kurbë interesante në marrëdhëniet me perëndimin, krysisht Bashkimin Europian.
I cilësuar terrorist për dekada me radhë, ai arriti të pastrohej dhe të konsiderohej së fundi partner nga Europa, falë interesave ekonomike që kanë të bëjnë me naftën.
Gedafi pagoi 2.8 miliard dollarë si dëmshpërblim për dy atentatet terroriste, në një diskotekë në Berlin dhe në Lokerbi të Skocisë. Shtetet e Bashkuara morën frymë lirisht vetëm kur ai hoqi dorë nga armët e shfarosjes në masë.
Në 2004, lideri libian me veshjen e tij ekzotike, u prit nga ish-kryeministri britanik, Toni Bler, ish-presidenti francez, Zhak Shirak dhe ish-kancelari gjerman, Gerhard Shrëder. Shumë kompani europiane të energjisë investuan në shtetin e pasur me naftë. Libia arriti një marrëveshje me BE-në për të qenë pjesë e partneritetit të vendeve të mesdheut, vecanerisht Italia, që nuk fshehu interesat ndaj Libisë.
Nga ana tjetër Tripoli ka aksione në shumë firma italiane. Në vitin 2006 BE dhe Libia firmosën një pakt për ndalimin e barkave me emigrantë të paligjshëm që shtoi në arkat e Tripolit 50 milion euro. Raportet mes Libise dhe BE-së u bënë edhe më të mira kur 2007 Gedafi liroi infermierët bullgarë që mbaheshin pa të drejtë në burg dhe për këtë mori dëmshpërblim.
Bashkëshortja e presidentit francez, Karla Bruni mori infermierët dhe Nikolas Sarkozi pak javë më vonë firmosi marrëveshjen me Gedafin për investime me vlerën e 10 miliard eurove.
Vitin e kaluar lideri libian vizitoi për të disatën herë Italinë. Italia merr gaz natyror nga Libia përmes një gazsjellësi. Edhe Gjermania është kliente e mirë e Libisë. Rreth 10 përqind e naftës së konsumuar në Gjermani vjen nga Libia.
Kryeministri italian, Silvio Berluskoni nuk heq dorë nga lëvdatat për mikun e tij libian duke thënë: “shoh tek kjo figurë drejtuese një mencuri të madhe. Gjithcka që ai më ka thënë për krizat ndërkmbëtare të 15 viteve të fundit kanë qenë gjithnjë pozicione që pasqyronin realitetin”.
Top Channel