Lideri i Libisë, Muamar Gedafi bëri një dalje të shkurtër në televizionin vendas duke deklaruar se është ende në Tripoli në krye të detyrës së tij.
Duke folur për 40 sekonda në deklaratën e lëshuar për televizionin shtetëror nga ambientet e shtëpisë së tij në Tripoli, tha se donte t’u tregonte njerëzve që është në Tripoli dhe jo në Venezuelë.
Ai, referuar spekulimeve për largimin e tij të mundshëm drejt Venezuelës, tha se populli nuk duhet të besojë “qentë e medias”.
Fjalimi i shkurtër i Gedafit u mbajt pas sulmit ajror të forcave qeveritare ndaj protestuesve në Tripoli, megjithëse vetë autoritetet e mohojnë një fakt të tillë.
Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet sot për të diskutuar mbi krizën në Libi.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë sekretari i përgjithshëm Ban Ki Moon, i cili ka deklaruar se ka biseduar me liderin libik Muammar Gaddafi dhe se i ka bërë atij thirrje për maturi.
“E ftova të respektojë plotësisht të drejtat e njeriut, lirinë e tubimeve dhe atë të fjalës”, ka deklaruar Ki Moon, duke saktësuar se biseda me kolonelin zgjati 40 minuta.
Nga ana e tij Gaddafi, përmes një fjalimi televiziv, ka hedhur poshtë zërat se është larguar nga Tripoli për në Venezuelë.
Ndërkohë, nga dhuna e ushtruar nga qeveria në Libi, e cila përdori dje edhe avionët luftarakë për të goditur protestuesit, thuhet se kanë humbur jetën mbi 200 persona.
Top Channel