Gaddafi: Tradhëtarët do të vdesin

22/02/2011 17:50

Diktatori i Libisë, Muammar Gaddafi, në një deklaratë emocionale të përfunduar pak më parë, theksoi se nuk ka ndërmend të largohet, se ushtria do të ndërmarrë nesër një ofensivë totale dhe se mbështetësit e tij do të armatosen.

Në atë që ishte deklarata e parë e gjatë e Gaddafi-t që prej fillimit të revolucionit, koloneli, duke mbajtur në dorë një kod penal, theksoi me tone të ashpra se të gjithë ata që do të përpiqen të rrëzojnë rendin kushtetures, do të ekzekutohen.

”Të gjithë ata që do të përpiqen të rrëzojnë shtetin me dhunë, do të ekzekutohen. Të gjithë ata që duan të krijojnë një luftë civile, do të ekzekutohen. Të gjithë ata që vrasin, do të ekzekutohen.

Të gjithë ata që djegin dhe plaçikisin do të ekzekutohen. Të gjithë ata që do të tradhëtojnë vendin, do të ekzekutohen. Të gjithë ata që do t’i shërbejnë Djallit, do të ekzekutohen. Lexoni ligjin dhe kushtetutën, që parashikojnë ekzekutimin për të gjithë ata që kryejnë këto krime”, deklaroi Gaddafi, me një ton të prerë, hera herës duke bërtitur.

”Shtetet e Bashkuara të Amerikës shkatërruan dhe vranë banorët e Faluxhës (Irak), sepse sipas tyre aty ndodheshin disa terroristë. Me mijëra civilë u vranë, bomba shpërthyen gjithandej.

Luftëtarët amerikanë vranë banorët e Bagdadit, në emër të al-Kaidës kanë vrarë me qindra mijëra civilë në Irak e Afganistan. Shikoni Izrealin në Palestinë, edhe ata vrasin me tanqe e avionë njerëz të pafajshëm.

Shikoni se çfarë po ndodh. Somali, Irak, të gjithë ata që shkatërruan këto vende, kanë ardhur këtu, nëpërmjet bandave të sponsorizuara prej tyre dhe duan të shkatërrojnë Libinë. Duan të bëjnë Bengazin si Falluxhën.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpresojnë që situata të mos qetësohet, në mënyrë që të vijnë këtu dhe të pushtojnë Libinë.

Që sot, të gjithë të rinjtë, me përjashtim të atyre që drogohen dhe i shërbejnë si kurva interesave të huaj, duhet të bashkohen dhe të krijojnë komitetet e mbrojtjes kombëtare. Duhet të mbajnë shenja në supe, që të thonë se janë nga siguria popullore. Këta të rinj, që nesër duhet të paraqiten në autoritetet ushtarake dhe të armatosen.

Ata do të marrin pozicione në ushtri. Komitetet popullore do të mbrojnë institicionet, portet, aeroportet, minierat dhe fushat e naftës, gratë dhe vajzat. Ky është një revolucion, një revolucion popullor, i drejtuar prej meje.

Do t’i tregojmë banditëve se çfarë do të thotë revolucion popullor. Komitetet do të tregojnë se cila është forca e vërtetë e këtij populli, që do të shtypë dhe do të shkatërrojë ato banda që tani kanë filluar të përdhunojnë dhe të vrasin njerëzit në shtëpitë e tyre”.

Tonet tepër të ashpra të Gaddafi-t, vazhduan: “Një administratë e re do të vendoset, bashki të reja, autoritete të reja, të cilat do të drejtojnë vendin në këto kushte të reja.

Nuk do të lejojmë kurrë që këtë vend, interesa të ndyra t’a shndërrojnë në një Irak apo Afganistan të ri. Unë jam i gatshëm të vdes në krye të këtij revolucioni si një martir, por nuk do të lejoj me asnjë kusht që banditët të shkatërrojnë gjithçka që ne kemi ndërtuar me kaq mund dhe djersë”.

Sipas rrjeteve ndërkombëtare, Gaddafi ishte duke folur nga bunkeri i tij në Tripoli. Më shumë se 300 persona kanë humbur deri tani jetën në përballjet me ushtrinë dhe forcat e policisë, por opozita flet për më shumë se 500.

Trupa të personave të vrarë u lanë të dergjen sot në rrugët e Tripolit, në atë që u konsiderua nga mediat e huaja si një përpjekje e kolonelit për të trembur protestuesit.

Sipas korrespondentit të BBC-së, koloneli duket tërësisht i shkëputur nga realiteti i ngjarjeve në Libi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA