Lideri historik i Kubës, Fidel Castro, deklaroi pak më parë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO kanë një plan për të pushtuar Libinë, si një pretekst për t’i dhënë fund dhunës në vendin e Afrikës së Veriut.
Qeveritë e majta të Amerikës së Jugut kishin shprehur edhe më parë mbështetjen e tyre për liderin libian, Muammar Gaddafi. Castro i bashkohet me këtë deklaratë presidentit të Venezuelës, Hugo Chavez, Evo Morales-it të Bolivisë dhe Ortega-s së Nikaraguas.
Në një deklaratë të publikuar në mediat kubaneze, Fidel Castro theksoi: “Mund të jesh dakord ose jo me Gaddafi-n, por koha do të tregojë se kush ka të drejtë dhe kush gënjen.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë aspak të shqetësuara për vendosjen e paqes në Libi dhe ata nuk do të hezitojnë që të udhëheqin NATO-n, drejt një pushtimi të vendit të pasur me naftë.
Kam bindjen se lajmërimi për këtë sulm do të bëhet brenda orëve apo ditëve të ardhshme. Çdo njeri i ndershëm duhet të jetë gjithmonë kundër padrejtësive që ndodhin në botë.
Gjëja më e keqe që mund të bëjmë tani është të heshtim, përpara një krimi që NATO është duke përgatitur të bëjë kundër njerëzve libianë”.
Top Channel