Ekonomia meksikane, rritje pavarësisht luftës

22/02/2011 16:25

Ekonomia meksikane ka rikuperuar regresin e lehtë të vitit 2009 me një rritje prej 5,5% në vitin 2010, në atë që është rritja më e lartë e dekadës së fundit.

Sipas informacionit të publikuar më parë gjatë ditës nga Instituti Kombëtar i Statistikave, mësohet se bujqësia, industria dhe sektorët e shërbimit kanë bërë të gjithë një avancim të ndjeshëm gjatë vitit të shkuar.

Industria ishte sektori kryesor që kishte pësuar një rritje të ndjeshme, me 6,1% në vitin 2010.

Lajmi është veçanërisht domethënës, duke patur parasysh që autoritetet janë përfshirë në një betejë të vërtetë me kartelet e drogës, luftë që ka shkaktuar me mijëra të vdekur në dy vitet e fundit.

Sipas ekspertëve, rritja do të kishte qenë pak më e lartë nëse nuk do të ekzistonte pasiguria që largon investitorët në vend, por përsëri, nuk bëhet fjalë për ndonjë diferencë të madhe në shifra.

Ndryshe nga shumë ekonomi në rritje, Meksika nuk është e shqetësuar aktualisht nga inflacioni i lartë. Inflacioni në vendin e Amerikës Veriore mbetet nën nivelit të 4%.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA