2010-a, me 160 miliardë lekë të ardhura

22/02/2011 08:15

Administrata tatimore ka mundur ta mbyllë vitin pozitivisht, me 2 për qind në raport me planin.

Nga analiza e zhvilluar të shtunën e kaluar në Drejtorinë e Përgjithshme, për vitin 2010, dolën në pah arritjet dhe problematikat e tatimorëve.

Mësohet se nga analiza u kuptuan edhe faktorët që ndikuan në rritjen e të ardhurave të administratës tatimore, që ishin akciza e rritur për disa mallra dhe futja në skemën e TVSH-së të mijëra bizneseve.

Të dhënat tregojnë se të ardhurat u realizuan në masën e 160 miliardë lekëve, ku vetëm nga taksa TVSH (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar) u siguruan rreth 35 miliardë lekë.

Sa u takon dy taksave të tjera kryesore, nga tatimi mbi fitimin u realizuan 17 miliardë e 700 milionë lekë, kurse nga tatimi mbi të ardhurat personale u arkëtuan 27 miliardë lekë.

Edhe rimbursimi i TVSH-së për bizneset rezultoi me rritje të konsiderueshme, gati dyfish me vitin 2009, me rreth 6 miliardë lekë.

Duke iu referuar planit të vendosur nga Ministria e Financave, të ardhurat ishin 2 për qind më të larta, kurse në krahasim me vitin 2009 dolën me rritje 3.4 për qind.

Për të kuptuar se nga erdhi rritja e të ardhurave, tatimet analizuan xhiron e bizneseve, që në fakt rezultoi i njëjtë me vitin 2009.

Ndryshimi erdhi nga rritja e akcizës dhe uljen e pragut të TVSH-së, të cilat dhanë efekte në rezultatin final.

Problematika kryesore e administratës tatimore ishte puna e dobët në terren, konkretisht kontrolli ndaj subjekteve eksportuese dhe atyre që kanë gjendje kreditore të TVSH-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA