Zbulohen thesaret e Ben Alisë

21/02/2011 10:10

Televizioni shtetëror tunizian ka transmetuar pamje të pasurive të fshehura në pjesë të ndryshme të pallatit të Zine al-Abidine Ben Ali, presidentit të përmbysur në muajin janar.

Pamjet tregojnë sasi të mëdha diamantesh, floriri dhe qindra mijëra euro të kyçyra nëpër vende të fshehta, përfshirë këtu edhe një kasafortë gjigande prapa bibliotekës së pallatit.

Që prej vendimit për bllokimin e parave të ish presidentit tunizjan dhe anturazhit të tij, asete të dyshimta me një vlerë prej 85 milionë dollarësh të lidhura me Tunizinë kanë dalë në dritë në Zvicër, ku autoritetet kanë marrë të paktën 30 raporte mbi origjinën e mundshme të tyre dhe ajo është, pastrimi i parave.

Katër ditë pasi populli tunizjan rrëzoi sundimtarin e tij të 23 viteve, qeveria zvicerane urdhëroi konfiskimin e fondeve të ish presidentit, të siguruara në mënyrë të dyshimtë.

Pak ditë më vonë, Bashkimi Europian ngriu asetet e 74 vjeçarit në Europë.

E njëjta gjë ndodhi edhe me paratë e Mubarakut, që përgjatë 30 viteve në pushtet mendohet të ketë vënë një pasuri prej miliarda dollarësh, edhe pse rroga e tij si president ishte 800 dollarë në muaj.

Televizioni tunizjan njoftoi se pasuritë e gjetura në pallatin presidencial do t`u shpërndahen njerëzve të thjeshtë, të cilët vuajten pasojat e korrupsionit galopant që gërreu shtetin afrikano-verior gjatë sundimit të Ben Alisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA