Kryeminisri maqedonas Nikolla Gruevski sfidoi opozitën, duke u deklaruar i hapur për zgjedhjet e parakohshme.

Në një intervistë për një televizion lokal, Gruevski ftoi opozitën që të ballafaqohet në zgjedhje të reja, por më parë kërkoi që ajo të kthehet në Parlament dhe të miratohet Kodi i ri zgjedhor.

“Në këtë situatë unë do të shfrytëzoja mundësinë që edhe njëherë të ftoj LSDM-në që të kthehet në Parlament, të miratohet ligji për zgjedhjet dhe pastaj të shkojmë në zgjedhje. Duke e marrë parasysh situatën e re të krijuar në vend dhe faktin se Cërvenkovski nuk dëshiron të kthehet në Parlament, veprim me të cilin dëmton rëndë vendin, unë ndjej përgjegjësi t’i vendos fund një sjelljeje të tillë”, deklaroi Gruevski.

Nga ana tjetër, lideri i partisë më të madhe opozitare në Maqedoni, Branko Cërvenkovski deklaroi se është i gatshëm për zgjedhje në qershor, por duke kërkuar paraprakisht plotësimin e pesë kushteve të bëra nga opozita.

“Nëse jeni të sinqertë në qëllimin tuaj për t’u ballafaquar me popullin, atëherë është koha për ta treguar këtë. Pranoni këtë propozim dhe ejani të fillojnë punën që të shkojmë në zgjedhje në qershor”, deklaroi Cërvenkovski.

Ai shpalosi propozime konkrete dhe afatet për plotësimin e kërkesave të opozitës. “Në rast se do të plotësoheshin kërkesat tona sipas kornizës së parashikuar kohore, atëherë zgjedhjet e parakohshme do të mbahen në qershor. Në të kundërtën, në rast se nuk plotësohen kushtet dhe Gruevski do të shpallë zgjedhjet e parakohshme, atëherë LSDM do t’i bojkotojë ato”, paralajmëroi Cërvenkovski.

Ndërkohë, Partia Demokratike Shqiptare vendosi kërkesat e saj për t’u rikthyer në Parlament dhe më pas për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.

“Sot rikonfirmojmë edhe një herë se PDSH është e gatshme për zgjedhje të parakohshme, si mënyrë e vetme për largimin e qeverisë Gruevski-Ahmeti, e cila është kthyer në makth për shqiptarët”, deklaroi zëdhënësi Luan Tresi.

Sipas tij, kërkesat e PDSH-së janë: ndryshimi i Kodit Zgjedhor, ripërcaktimi i kufijve të njësive zgjedhore, ndryshimet në këshillat votuese dhe komisionet zgjedhore me shtimin e numrit të përfaqësuesve partiakë, pjesëmarrja në pastrimin e listave të votuesve nga votuesit fiktivë, monitorimi i shtuar ndërkombëtar, etj. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA