Libia në flakë, lëkundet Gaddafi

21/02/2011 13:20

Selive të disa ministrive dhe televizionit shtetëror u është vënë flaka në Libi, ndërsa presioni për largimin e kolonel Muammar Gaddafi-t rritet në mënyrë të vazhdueshme.

Në një deklaratë të dhënë më parë gjatë ditës, djali i diktatorit paralajmëroi rrezikun e një lufte civile, ndërsa theksoi se babai i tij nuk është larguar nga vendi, siç ishte spekulluar të dielën.

Ai shtoi se koloneli do të jetë në krye të betejës, i vendosur që të luftojë deri në pikën e fundit të gjakut, ndaj tradhëtarvëe të vendit, të paguar nga të huajt, ndaj militantëve islamikë dhe të droguarve që po synojnë të marrin pushtetin me dhunë.

Sipas “Human Rights Watch”, 233 persona janë konfirmuar të vdekur, të vrarë nga plumbat e ushtrisë dhe polcisë, por dhjetëra ose qindra të tjerë nuk janë përfshirë ende në listë.

Aktualisht, përballje të dhunshme po ndodhin në Tripoli. Kryeqyteti mbeti i qetë në ditët e para të shpërthimit të revoltave në Benghazi dhe Al-Bajda, por edhe Tripoli është shndërruar që prej së dielës në një fushëbetejë.

Protesta është përqendruar në Sheshin e Gjelbërt, në qendër të kryeqytetit, ndërsa shihen persona mbi çatinë e televizionit në flakë, duke valëvitur flamuj libianë.

Ekzistojnë raporte se një pjesë e ushtarakëve janë bashkuar me popullin, por Gaddafi mund të hedhë në fushë edhe kartën e fundit, që janë trupat speciale afrikane, të cilat konsiderohen si plotësisht besnike ndaj tij.

Top Channel