Libi, avionët bombardojnë protestuesit

21/02/2011 21:10

Forcat e sigurisë dhe protestuesit janë përleshur në kryeqytetin e Libisë për të dytën natë rresht, pasi qeveria njoftoi ndërmarrjen e një operacioni ndaj tyre.

Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes deklarojnë se avionë luftarakë kanë fluturuar duke hapur zjarr ndaj protestuesve në Tripoli.

Ndërsa në perëndim të qytetit, burimet deklarojnë se ushtria po lufton me trupat besnike ndaj udhëheqësit Muammar Gaddafi, i cili po lufton për të mbajtur pushtetin.

Sipas televizionit arab Al Jazeera, janë mbi 250 të vdekurit nga bombardimet e forcave ajrore në qendër të kryeqytetit, drejt të cilit janë dërguar edhe helikopterë të tipit “Apache”.

Ndërkohë, zëvendësambasadori i Libisë në OKB i ka bërë thirrje kolonelit që të tërhiqet dhe e ka akuzuar qeverinë e tij për ushtrim genocidi.

Ibrahim Dabbashi ka deklaruar se nëse Gaddafi nuk heq dorë nga pushteti, atëherë populli libian do ta rrëzojë atë.

Nga ana tjetër mbetet e paqartë vendndodhja e kolonel Gaddafi. BBC bën të ditur se ai është larguar nga kryeqyteti, por destinacioni i tij mbetet i paqartë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA