Gjyqtarët: Gafa në favor të Inter-Milan

21/02/2011 12:30

Drejtuesi i Shoqatës së Gjyqtarëve në Itali, Braschi, pranoi se në javën e fundit të Serisë A u evidentuan gabime të rënda në favor të dy skuadrave milaneze.

Interi fitoi me rezultatin 1-0 ndaj Cagliari-t, falë një goli të shënuar nga Ranocchia në pozicion jashtë loje, ndërsa goli i parë i Milanit në fitoren 2-1 në fushën e Chievo-s, erdhi pasi Robinho kontrolloi me dorë topin.

Duke folur në një radio gjatë ditës, Braschi dekalroi: “Do të ishte prej budallai të fshiheshim pas gabimeve të dukshme që kanë ndodhur. Goli i Ranocchia-s ishte qartësisht në pozicion jashtë loje.

Fakti që topi u devijua prej mbrojtësit të Cagliarit nuk ndërron asgjë, pasi mbrojtësi i Interit merrte pjesë aktivisht në aksion. Përsa i përket prekjes me dorë të Robinho-s, gjyqtari Banti ishte shumë pranë dhe paradoksalisht, kjo e kushtëzoi.

Duhet thënë se ai nuk u ndihmua as nga vijërojtësi, që duke e parë ngjarjen në profil, mund të kishte patur një kënd më të mirë për të parë ngjarjen. Banti e pranoi në përfundimin e ndeshjes gabimin dhe kërkoi falje.

Në total, ai zhvilloi një ndeshje të mirë, por është e rëndësishme që të punojmë në perfeksionimin profesional të gjyqtarëve. Është e qartë që gabime do të ndodhin gjithmonë, sepse kjo është njerëzore, por kemi bindjen se gabimet e mëdha mund të shmangen”.

Në fund, Braschi shtoi se ish-gjyqtari Collina, aktualisht personi që përcakton se cilët do të jenë gjyqtarët që arbitrojnë ndeshjet, vazhdon të gëzojë besimin e plotë të Federatës dhe Shoqatës së Gjyqtarëve.

Top Channel