Djali i Gaddafi-t: Drejt luftës civile

21/02/2011 08:00

Djali i liderit libian, Muamar Gaddafi-t, paralajmëroi se vendi mund të shkojë drejt një lufte civile, në një intervistë të dhënë në televizionin shtetëror libian.

Fjalimi i gjatë i Sayf al-Islam iu adresua kombit, pasi protestat u përhapën në kryeqytetin Tripoli, pas ditë revolatash në provincat e Al-Bajdës dhe Benghazit.

Pavarësisht se protestuesit u konsideruan si një “instrument i interesave të huaja”, al-Islami premtoi edhe reforma të rëndësishme politike në vend.

Njëkohësisht, ai pranoi se policia ka bërë “shumë gabime”, por shtroi se numri i të vrarëve është shumë më i ulët nga sa përflitet. Sipas “Human Rights Watch”, deri tani kanë humbur jetën 285 libianë.

Sipas djalit të Geddaf-it, i parë si një alternative e mundshme për pushtetin kur koloneli të largohet, synimi i vërtetë i protestuesve ishte ndarja e Libisë në një numër shtetesh më të vogla.

Al-Islami përgënjeshtroi edhe raportimet se Gadaffi ishte larguar nga Libia, ndërsa theksoi se babai i tij është në vend dhe po udhëheq betejën.

Në fjalimin përpara kombit, pavarësisht qasjes së qetë të al-Islamit, mund të kuptohej një lloj tensioni politik, ndërsa përgjegjës për këtë që po ndodh në vend u bënë të huajt, disidentët, të varurit nga droga dhe islamistët.

Të dielën, policia përdori gaz lotsjellës dhe qëlloi me plumba të vërtetë, për të shpërndarë turmën në kryeqytet. Aktualisht, në Tripoli dëgjohen vazhdimisht të shtëna sporadike.

Top Channel