Protestat anti-monarkike në Bahrein vazhduan edhe gjatë natës së fundit, ndërsa me qindra persona ngritën tenda dhe fjetën në sheshin kryesor të kryeqytetit Manama.
Agjensia Franceze e Lajmeve (AFP) lajmëron se jeta e ishullit me 800 mijë banorë është paralizuar tërësisht, ndërsa shkollat janë mbyllur, me mësuesit që i janë bashkuar protestuesve.
”Nuk ka më shkollë deri në largimin e kësaj qeverie”, brohorisnin 1 500 mësues, të grumbulluar në Sheshin e Perlës, në qendër të Manamas.
Më shumë se 10 mijë protestues të tjerë iu bashkuan arsimtarëve, në atë që është dita e katërt e protestave, që kërkojnë rrëzimin e monarkisë.
Ndryshe nga vendet e tjera arabe, protestat në Bahrein nuk kanë një karakter ekonomik. Vendi me të ardhura për frymë prej 25 mijë dollarësh në vit, drejtohet nga një familje mbretërore sunite, edhe pse shumica e popullësisë është shiite.
Top Channel