Tirana i largohet titullit

20/02/2011 20:40

Tirana e Misho Kërsticevic është ndalur sërish në një barazim pa gola, këtë herë përballë Shkumbinit në Qemal Stafa, një rezultat që i mban bardheblutë 13 pikë larg kryesuesve.

Shumë raste në portat respektive, por asnjë nga lojtarët nuk ka mundur të bëjë diferencën në finalizimin e aksioneve. Ky barazim i mban të paprekura vendet e dy skuadrave në klasifikimin e përgjithshëm, Tirana në vendin e 4 me 33 pikë ndërsa peqinasit në të 7 me 26 pikë.

Vllaznia ka fundosur në Ruzhdi Bizhuta 4-0 Elbasanin, skuadër kjo që tashmë duhet të fillojë të mendojë për sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë, pasi qendrimi i tyre në Superligë është cështje mrekullie.

Xhevahir Sukaj me golin e tij në minutën e 32 mbylli pjesën e parë 1-0 në favor të Vllaznisë. Lojtarët e Elbasanit u treguan të pafuqishëm të reagonin, ndërkohë që shkodranët shfrytëzuan këtë dobësi të tyre duke shënuar edhe 3 herë të tjera në portën kundërshtare. Shtubina dyfishoi rezultatin, ndërsa Sukaj shënoi golin e dytë personal dhe të tretin për Vllazninë në të 79 minutë. Në fundin e ndeshjes i takoi Hodos të vulosë rezultatin e thellë 4-0 për shkodranët të cilët mbajnë vendin e 3 me 38 pikë, 1 më pak se Skënderbeu i vendit të dytë.

Ndeshja më e rëndësishme e javës së 21 do të jetë ajo e të henës mes Skënderbeut dhe Flamurtarit, sfidë kjo që do të vendosë nëse vlonjatët do të ecin të vetëm drejt titullit apo korcarët do të vazhdojnë të jenë rivalët e tyre më të fortë për këtë trofe.  

Top Channel