Seria A, Milani fiton e ruan distancën

20/02/2011 17:15

Milani ka fituar 2-1 në transfertë ndaj Kievos duke ruajtur distancën prej + 5 pikësh nga ndjekësi më i afërt, që për momentin është Interi me 50 pikë.

Një gol i Robinjos në pjesën e parë dhe një tjetër i shënuar nga Pato në minutën e 82 të takimit, i mjaftuan kuqezinjve për të dalë fitimtarë nga Verona. Ndërkohë goli i Kievos, që solli edhe barazimin e përkohëshëm për vendasit, u shënua nga Fernandes në minutën e 61-të.

Plot 7 gola ka dhuruar sfida mes Xhenoas dhe Romës. Vendasit shënuan katër herë në pjesën e dytë duke përmbysur disavantazhin 0-2 të pjesës së parë dhe duke marrë një tjetër fitore të rëndësishme, pas asaj të arritur në javën e kaluar në derbin ndaj Sampdorias.

Ndërkohë, Lacios i ka mjaftuar një gol i shënuar që në minutën e 6 të takimit për të marrë tre pikët e radhës ndaj Barit në Olimpiko.

Në ndeshjet e tjera, Fiorentina barazoi pa gola me Sampdorian, ashtu sikundër edhe Udineze me Breshian, ndërsa Parma e Cezena ndanë nga një pikë pas barazimit 2-2.

Ndeshja e mbrëmjes mes Napolit dhe Katanias mbyll javën e 26 të Serisë A.

Top Channel