SHBA, Kongresi voton për shkurtime drastike

19/02/2011 14:40

Dhoma e Përfaqësuesve në Parlamentin Amerikan (Kongresi) aprovoi planin e shkurtimeve drastike në buxhetin federal, në atë që u konsiderua si një fitore për shumicën republikane të Kongresit.

Aprovimi ndodhi në mëngjes, me deputetë që votuan pothuajse të gjithë në bazë të vijës së tyre partiake.

Votimi aprovoi shkurtimin e 61 miliardë dollarëve, duke nisur nga tani, deri në fundin e vitit buxhetor, në 30 shtator.

Presidenti Barack Obama paraqiti më parë një plan për më pak shkurtime drastike, për vitin e ardhshëm.

Në mënyrë që vendimi i Kongresit të aprovohet, ai do të duhet të marrë miratimin e Senatit, që ndonëse me shumicë të dobët, vazhdon të kontrollohet nga partia demokratike e presidentit në fuqi.

Sipas korrespondentëve dhe ekspertëve të mediave amerikane, pritet që Obama dhe senatorët demokratë t’a rrëzojnë dekretin.

Ditën e hënë, presidenti lajmëroi një plan që synon të reduktojë defiçitin e tanishëm buxhetor në dhjetë vitet e ardhshme. Defiçiti kap aktualisht vlerën e 1 100 miliardë dollarëve.

Top Channel