Nr.2 i Al-Qaedas: Egjipt, thuaji jo demokracisë

19/02/2011 11:20

Numri dy i Al-Qaedas, Ayman al-Zawahri, u shfaq sot në videokasetën e parë të rrjetit terrorist që prej protestave të Egjiptit.

Në fjalimin e tij, al-Zawahri theksonte se vendi kishte devijuar prej kohësh nga rruga e islamit, ndërsa paralajmëroi se demokracia mund të arrihet vetëm nëpërmjet blasfemisë dhe mungesës së respektit për besimin.

Vala e protestave në Egjipt, e cila largoi presidentin Hosni Mubarak pas 30 vitesh në pushtet, duket se kapi të papërgatitur al-Qaedan.

Grupimi kërkonte prej kohësh shkatërrimin e regjimit të Mubarak-ut dhe al-Zawahri, një mjek egjiptian, ishte pjesë e një tentative për një grusht shteti ndaj Mubarak-ut, në vitin 1990.

Megjithatë, më e rrezikshme se vetë regjimi që nxorri jashtë ligjit disa parti muslimane, duket se është kërkesa e egjiptianëve për më shumë liri dhe demokraci në vend.

”Kemi një mesazh shprese për njerëzit tanë në Egjipt”, deklaroi Al-Zawahri, duke iu referuar ngjarjeve të fundit. “Cili është realiteti në të cilin Egjipti po jeton? Fatkeqësisht, ai i devijimit nga rruga e Allahut.

Regjimi që drejtonte vendin nuk kishte respekt për islamin dhe qëndroi në fuqi për tre dekada nëpërmjet përdorimit të torturës, zgjedhjeve të manipuluara, medias së korruptuar dhe sistemit inekzistent të drejtësisë.

Kemi shpresë se egjiptianët do të kthejnë sytë nga Allahu dhe do të përqafojnë fjalën e tij për të ardhmen e vendit.

Dhe fjala e tij dhe Profetit të Shenjtë Muhamed nuk mund të jetë ajo e demokracisë. Drejtimi nga dëshirat e shumicës bie në kundërshtim të thellë me Kuranin. Një shtet mund të jetë demokratik vetëm nëse është sekular, pra vetëm nëse besimi nuk respektohet”.

Video e gjatë 34 minuta u publikua në disa faqe islamike interneti dhe besohet se është xhiruar në datën 5 shkurt.

Al-Zawahri, së bashku me shefin e al-Qaedas, Osama bin Laden, besohet se jeton i fshehur në zonat malore midis Afganistanit dhe Pakistanit.

Top Channel