Libi, protestat janë në zgjerim

19/02/2011 08:25

Të paktën 46 persona kanë vdekur në Libi në përplasjet e demonstruesve me forcat qeveritare të Gaddafi-t, ndërsa vala e protestave po zgjerohet në të gjithë vendin.

Sipas raportimit të Agjensisë Franceze të Lajmeve, “AFP”, banorë të qyteteve të tjera, jashtë vatrës së protestave në Benghazi apo Al-Bajda, janë bashkuar apo pritet të bashkohen me valën e protestave.

Ndërkohë, mësohet se numri i të vrarëve mund të jetë më i lartë nga sa është raportuar, pasi 35 trupa ndodhen vetëm në spitalin e dytë të qytetit të dytë më të madh të Libisë, në Benghazi.

Për të vështirësuar organizimin e protestave, regjimi ka hequr dritat në disa zona, ndërsa rrjetet shoqërore dhe kanali televiziv i al-Jazeera janë ndaluar të funksionojnë në vend.

Ekzistojnë raportime të pakonfirmuara se në disa qytete, ushtarët kanë refuzuar të qëllojnë mbi turmën, ndërsa janë bashkuar me protestuesit.

Protestuesit janë antarë të klasave të ulta qytetare, të cilët jetojnë në varfëri, edhe pse vendi është i pasur me rezerva nafte dhe është më i pasur se fqinjët e tij, në raportin e të ardhurave për frymë.

Shpërndarja e keqe e të ardhurave, rritja e çmimeve dhe regjimit despotik i gjeneralit Muammar Gaddafi-t, në pushtet që prej vitit 1969, janë arsyet që kanë detyruar libianët të rrezikojnë jetën, në protestat e tyre anti-qeveritare.

Sipas ekspertëve, rrëzimi i regjimit do të jetë shumë më i vështirë se në Egjipt e Tunizi, pasi Gaddafi zotëron ende një popullaritet të madh, në pjesë të gjera të popullsisë.

Top Channel