Leonardo, polemikë me Milanin: A po afrohemi?

19/02/2011 12:40

Një ditë pasi administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galliani, deklaroi se pavarësisht formës së mirë dhe mbërritjes së Leonardos, Interi nuk është afruar shumë, trajneri brazilian i përgjigjet ish-punëdhënësit të tij.

Duke folur në konferencë për shtyp përpara përballjes së mbrëmjes ndaj Cagliarit, Leonardo preku rivalitetin e klubit të tij me kuqezinjtë për titullin, por foli edhe për sfidën e afër me Bayern-in apo skemat që përdor.  

Milan – “Nuk dua të hyj në polemika me Milanin, pasi duke qenë se kam kaluar shumë kohë atje e di që do të keqinterpretohej. Megjithatë, ndërsa Galliani thotë se rikuperimi s’ka qenë i rëndësishëm, ai gjithsesi nuk e mohon dot që kemi rikuperuar pikë”.

Bayern – “Më vjen keq për Snajder dhe Lucio që nuk do të jenë, por ata e dinin që do të ishin grumbulluar vetëm nëse zotëronin një gjendje të mirë fizike. Nuk mendoj se Bayern-i mund të jetë në gjendje të na çpërqëndrojë me deklarata.

Kjo skuadër është e mësuar me presionin dhe ka dëshirën që të fitojë gjithçka. Tek Interi është e pamundur të zgjedhësh një objektiv parësor, pasi e di se ke ekip të aftë që të konkurrojë në çdo kompeticion që merr pjesë”.

Taktika – “Eto’o djathtas? Kemi një sërë mundësish teknike dhe kjo është njëra prej tyre. Në mesfushë duhet ditur të administrohet loja. Cambiasso apo Thiago në qendër? Kjo do të varet nga gjendja fizike e tyre dhe e kundërshtarëve, pasi mesfushorët e mi janë në gjendje të luajnë në disa role.

Jam shumë i kënaqur për Ranocchia-n, i cili ka kaluar periudhën e tij të ambientimit, ndërsa Cordoba është një shembull i vërtetë, pasi edhe në momentet e vështira e të mbushura me dëmtime ka patur vullnetin për të ecur përpara”.

Futbolli italian – “Më vjen inat kur dëgjoj që futbolli italian nuk është më midis më të mirëve në Europë. Mbase, tërësia e këtij kampionati si strukturë duhet riparë.

Është e nevojshme që të bëhet një rinovim i plotë, por unë jam një trajner dhe jo një drejtues, prandaj nuk di shumë rreth çëshjtes. Megjithatë, si trajner, mund të them që për nga niveli cilësor, Seria A është e konkurrueshme me kampionatin anglez apo atë spanjoll”.

Cagliari – “Pavarësisht ndryshimit të trajnerit, kjo skuadër vazhdon të ruajë një identitet të qartë në lojën që zhvillon, falë një grupi lojtash kompaktë dhe me shumë cilësi, që luajnë prej disa vitesh bashkë”.

Top Channel