Kastrioti mund Besën

19/02/2011 20:35

Janë luajtur të shtunën dy takimet hapës të javës së 21-të të Kategorisë Superiore. Kastrioti mposhti Besën me rezultatin 2-1 në një takim mjaft emocionues.

Në stadiumin e Krujës të boshatisur nga tifozët për shkak të dënimit të Komisionit të Disiplinës në FSHF, Kastrioti ka arritur t’i rrëmbejë tri pikë të arta Besës në një duel mes dy skuadrave që luftojnë për të siguruar mbijetesën.

Kur u duk se pjesa e parë do të mbyllej me rrjeta të paprekura zhbllokohet rezultati.

Kroati Alvizh që në minutën e 39-të arrin të kalojë në avantazh vendasit duke i çuar skuadrat në dhomat e zhveshjes me rezultatin 1-0.

Në pjesën e dytë Kastrioti e nis me këmbën e mbarë, duke gjetur edhe golin e dytë me anë të Kalarit, i cili fikson rezultatin në shifrat 2-0 që në minutën e 48-të.

Kavajasit reagojnë shumë shpejt dhe ngushtojnë shifrat në 2-1 vetëm tetë minuta më pas.

Sërish shënon i riu Shtini. Edhe pse patën shumë kohë në dispozicion miqtë nuk mundën dot të barazojnë.

Sfida mbyllet me fitoren 2-1 të Kastriotit, që ngjitet në kuotën e 25 pikëve, po aq sa Shkumbini i vendit të shtatë.

Besa mbetet në zonën e ftohtë, në vendin e 10-të me 22 pikë.

Ndërkaq, në sfidën e luajtur në qytetin e Laçit nuk ka pasur shumë histori dhe asnjë gol. Laçi dhe Dinamo kanë ndarë nga një pikë në përfundim të 90-minutave, që u mbyllen me rezultatin 0-0.

Laçi i vendit të gjashtë ngjitet në kuotën e 28 pikëve, kurse Dinamo e vendit të pestë ka tani 30 pikë.

Top Channel