Jemen, pesë të vrarë në protesta

19/02/2011 09:05

Të paktën pesë persona kanë humbur jetën në Jemen në këto ditë trazirash, ndërsa vala e protestave anti-qeveritare zgjerohet në vend.

Katër nga fatkeqët mbetën viktimë e zjarrit të policisë, e cila tentoi të shpërndante turmat në qytetin port të Adenit, bënë të ditur burime spitalore vendase dhe dëshmitarë.

Viktima e pestë u regjistrua gjatë protestave të qytetit të Taizit, ndërsa shumë të tjerë mbetën të plagosur, pasi persona të paidentifikuar hodhën në mesin e turmës një granatë, nga një makinë në lëvizje.

Ndërkohë, vazhdojnë përplasjet në kryeqytetin Sana’a, midis protestuesve dhe mbështetësve të presidentit Ali Abdullah Saleh.

Jemenasit janë bashkuar në këtë lëvizje si pasojë e korrupsionit dhe papunësisë masive, në atë që është vendi më i varfër në Lindjen e Mesme.

Top Channel