Bahrein, ushtria tërhiqet nga rrugët

19/02/2011 13:05

Tanqet dhe mjetet e tjera ushtarake janë kthyer në kazerma, duke e lënë të lirë qendrën e Manamasë, kryeqytetit të Bahreinit.

Sipas raportimit të BBC-së, urdhëri për tërheqjen e forcave të armatosura është dhënë nga vetë Mbreti.

Ndërkohë, policia ka marrë në zotërim qendrën e Manamasë. Ajo ka zmbrapsur nëpërmjet gazit lotsjellës turmat e njerëzve që përpiqeshin të rigrumbulloheshin në sheshin kryesor.

Në mëngjes, blloku më i madh opozitar i Wefaq-it, lajmëroi se nuk është i gatshëm të ulet në bisedime me Mbretin, përsa kohë ushtria qëndronte në rrugë dhe kabineti në fuqi.

Dëshira e Mbretit për dialog mund të sjellë shkarkimin e kabinetit qeverisës në orët në vazhdim. Një ditë më parë, policia qëlloi mbi turmat në varrimin e katër viktimave të protestave të së enjtes, duke shkaktuar mbi 50 të plagosur.

Ndryshe nga vendet e tjera arabe, vala e protestave që ka përfshirë Bahreinin nuk ka një karakter ekonomik.

Ishulli me 800 mijë banorë ka një standart të mirë jetese dhe banorët e tij konsiderohen të pasur me standartin arab, por një familje mbretërore sunit dominon jetën politike të një vendi me shumicë shiite.

Top Channel