Kriza botërore e ushqimeve

18/02/2011 20:00

Shqetësimet mbi rritjen galopante të çmimit të ushqimeve pritet të mbizotërojnë takimin e G20-s në Paris, ku janë mbledhur ministrant e Financave dhe krerët e Bankave Qendrore të vendeve më të industrializuara të botës dhe atyre në zhvillim.

Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëroi përpara nisjes së punimeve të samitit se spiralja e çmimit të ushqimeve po shkakton rritje të disnivelit ekonomik.

Në fillim të javës, edhe Banka Botërore pati tërhequr vëmendjen tek ato që i quajti “nivele të rrezikshme të çmimit të mallrave të konsumit të përditshëm”.

Që prej muajit qershor, sipas organizmit ndërkombëtar, 44 milionë njerëz janë zhytur në varfëri.

Një rol të rëndësishëm në diskutime pritet të luajë edhe kontrasti mes rritjes së shpejtë të ekonomive në zhvillim dhe rimëkëmbjes së ngadaltë dhe papunësisë së lartë në shumë vende të zhvilluara.

Franca, mikpritëse e takimit, shpreson në arritjen e një marrëveshjeje mbi një plan për stabilizimin e ekonomisë globale.

Por ndasitë e mëdha mes vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim mund ta bëjnë të vështirë gjetjen e një emëruesi të përbashkët.

“Që prej 1990-tës, bota ka përjetuar 42 kriza, në të cilat, rrjedhjet financiare janë stopuar brutalisht. Ndërmjet 2008-tës dhe 2009-tës, fluksi i kapitalit drejt vendeve aziatike u përgjymua brenda disa javësh, madje me mirë të them, brenda disa ditësh. Si munden vendet të rezistojnë dhe ta menaxhojnë një paqendrueshmëri të tillë? Është absolutisht e pamundur pa një plan të përbashkët veprimi”, është shprehur Sarkozy.

Një debat ka nisur mes prodhuesve të mallrave bazë dhe vendeve konsumatore mbi rregullat e propozuara që kanë si synim uljen e çmimit të ushqimeve.

Ashtu si në takime të tjera, edhe tensionet mes Uashingtoni dhe Pekinit për kursin e këmbimit mbeten të larta.

Amerikanët pretendojnë se Kina e mban qëllimisht të zhvlerësuar monedhën e vet për të fituar epërsi për eksportet.

Por vende të tjera, përfshirë Brazilin i akuzojnë Shtetet e Bashkuara se po bëjnë të njëjtën gjë, duke përdorur politikën monetare të zhvlerësimit të dollarit.

Top Channel