Jemen, protestat hyjnë në ditën e shtatë

18/02/2011 13:45

Protestat në kryeqytetin jemenas të Sana’s hynë sot në ditën e tyre të shtatë, ndërsa një ditë më parë u verifikuan përplasjet më të dhunshme të javës.

Sipas korrespondentëve të huaj në Jemen, të shtëna sporadike janë dëgjuar gjatë ditës së sotme, por nuk dihet ende nëse këto të shtëna kanë prodhuar viktima.

Megjithatë, protestat e sotme janë dukshëm më të qeta se ato të një dite më parë, kur mbështetës të regjimit u përballën me gurë, shkopa hekuri dhe sende të tjera të forta me demonstruesit antiqeveritarë.

Siç raportuan më parë mediat ndërkombëtare, me dhjetëra protestues u dërguan në spital për plagët e marra në kokë, ndërsa policia ishte e pafuqishme të ndërpriste betejën e stilit mesjetar në rrugët e kryeqytetit.

Të frymëzuar nga rrëzimi i regjimeve në Tunizi dhe Egjipit, jemenasit nuk janë të kënaqur nga premtimi i presidentit të tyre, Ali Abdullah Saleh, për t’u larguar me mbarimin e mandatit në vitin 2013, pas 32 vitesh në pushtet.

Jemeni është vendi më i varfër në Lindjen e Mesme. Presidenti Saleh ishte një kundërshtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kur deklaroi aleancën e tij me Saddam Hussein-in në luftën e Gjirit, në vitin 1990.

Megjithatë, ai është shndërruar tashmë në një alet të çmuar, për shkak të luftës së tij ndaj Al-Qaeda.
 

Top Channel