Tirana-Hajduk Split, bashkëpunim për talentet

17/02/2011 12:30

Tirana është e dashuruar me kroatët.

Këtë e tregon historia, ndërsa në sezonin aktual te bardheblutë punon trajneri Misho Krstiçeviç dhe luan sulmuesi Pero Pejiç. Por, presidenti Refik Halili ka kërkuar ta zgjerojë markën e klubit 24-herë kampion, duke e shtrirë atë edhe në Kroaci.

Kjo do të realizohet nëpërmjet marrëveshjes për bashkëpunim me Hajdukun e Splitit, skuadrën më të vjetër të këtij shteti, ku militon mesfushori kuqezi Ervin Bulku. Dy klubet do të jenë në kontakte të vazhdueshme, duke shkëmbyer informacione për talentet.

Në këtë mënyrë, Tirana do të ketë baza të forta për të vepruar në tregun e këtij vendi, jo vetëm për t’u përforcuar, por edhe për të shitur lojtarë.

“Kam hapur edhe një zyrë timen në Kroaci për talentet e rinj të këtij vendi, që mund të jenë përforcime potenciale për Tiranën”, tha Halili.

Top Channel