Deputeti socialist Saimir Tahiri ka deklaruar se ka qenë Partia Socialiste ajo që ka kërkuar e para kufizimin e imunitetit të deputetëve.
Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Tahiri është shprehur se PS ka vullnet real për të luftuar korrupsionin, pasi kërkon realisht vënien para drejtësisë të ministrave që janë akuzuar për afera korruptive.
Por nisma e mazhorancës, sipas tij, është vetëm një lojë politike e kryeministrit, i cili synon të mbrojë anëtarët e kabinetit të tij.
“Mazhoranca aktuale është e fundit që mund të kërkojë kufizimin e imunitetit. Kjo është një manovër politike, përsa kohë një njeri që kërkon kufizimin e imunitetit është i njëjti që iu dha imunitet gardistëve që vranë 4 njerëz të pafajshëm më 21 janar. Ai urdhëroi policinë të mos zbatojë urdhërin e prokurorisë, ashtu sikurse bëri me ministrat e akuzuar për rrugën Durrës-Kukës, gërdecin, etj”, ka deklaruar Tahiri.
Top Channel