Një lob i ri biznesi

17/02/2011 17:05

Biznesi shqiptar ka krijuar një grup të ri të quajtur Biznes Albania, i cili nga përmbajtja dhe përbërja e anëtarëve duket se do të jetë një lob i fortë ndaj qeverisë.

Në krye të këtij grupi është zgjedhur biznesmeni Luan Bregasi, dikur një drejtues jetëgjatë i Dhomës së Tregtisë, gjatë qeverisjes socialiste, që megjithëse ishte nën ndikimin e qeverisë, jo pak herë është shprehur kundër saj, për t’u bërë mjaft mediatik si zë.

“Kjo është një shoqatë që lind nga nevoja për të rinisur në formë korrekte, për të zgjidhur me shtetin ato probleme që shqetësojnë privatët”, ka deklaruar Bregasi.

Në përbërje të kësaj organizate të re janë shoqatat më të forta të biznesit, si ato të ndërtimit, të karburantëve, eksportuesit dhe prodhuesit me material gjysmë porositës, të cilët përfaqësojnë jo vetëm bizneset me xhiro vjetore të lartë dhe kanë numrin më të madh të të punësuarëve, por shpesh këto herët e fundit janë konfliktuar haptas me qeverinë aktuale.

Në këtë lob të ri të biznesit janë përfshirë edhe disa nga dhomat e huaja të biznesit, si ajo amerikane, gjermane dhe italiane.

“Duke qenë se do integrohet me shoqatat simotra në Evropë, unë mendoj se komuniteti i saj do të jetë më i madh”, ka theksuar Bregasi, duke shtuar se lobi i ri do të përfaqësohet edhe në Bruksel.

Edhe pse biznesi prej kohësh është grupuar në shumë organizma formalë për të qenë oponent ndaj institucioneve aktore në marrjen e vendimeve, shpesh zërat e tyre kanë qenë të dobët dhe të përcarë.

Rigrupimi i biznesit në këtë organziatë të re si fillim duket një përpjekje e mirë për të kapërcyer mosmarrëveshjet shpesh të diktuara nga politika për interesat e saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA