Lakers humbin me ekipin më të dobët në NBA

17/02/2011 16:45

Los Angelos Lakers janë në një krizë të vërtetë rezultatesh, ndërsa mbrëmjën e shkuar u mposhtën nga skuadra më e dobët e këtij sezoni të NBA-së.

Cleveland Cavaliers arriti fitoren e dhjetë të sezonit (46 humbje), ndërsa mposhti favoritët për titullin kampion në transfertë, me rezultatin 104-99.

E pabesueshme ndeshja e rezervës së Cavs-ave, Ramon Sessions, autor i 32 pikëve dhe 9 asisteve gjatë lojës.

Kjo fitore i shërbeu Cleveland-it për t’u hakmarrë ndaj humbjes së turpshme që pësuan në 11 janar në të njëjtin stadium, kur Lakers dominoi dhe u shkaktoi atyre një disfatë historike me shifrat 112-57.

Kabe Bryant u duk veçanërisht jashtë forme, duke qenë i saktë në vetëm tetë prej 25 gjuajtjeve nga loja, ndërsa paraqitja e mrekullueshme e Pau Gasol, autor i 30 pikëve dhe zotërues i 20 topave në tabelë, nuk i mjaftoi Lakers-ave.

Top Channel