Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri do të jetë një nga titullarët e insitucioneve kryesore të shtetit që do të dalë së shpejti në një seancë dëgjimore përpara komisionit parlamentar, i ngritur për të hetuar veprimtarinë e institucioneve para, gjatë dhe pas 21 janarit.
Kryetari i komisionit hetimor parlamentar, Eduard Halimi, tha se kjo seancë tani mundësohet plotësisht, pasi SHISH konfirmoi si të vlefshme certifikatat e sigurisë për anëtarët e komisionit.
Kjo do të thotë që tani, komisioni hetimor mund të marrë edhe informacione sekrete nga shërbimi informativ, me detyrimin për të mos i bërë ato publike.
“Të marrim dokumentacionin nga SHISH, më pas ky dokumentacion do administrohet sipas procedurave për dokumentet e klasifikuara dhe më pas do procedojmë me seancën dëgjimore të drejtorit të SHISH”, deklaroi Halimi.
Gjatë pranisë së kamerave në mbledhje, zoti Halimi vuri në dukje se të gjitha institucionet, përfshirë edhe mediat, kanë bashkëpunuar me komisionin hetimor për të sjellë informacionin e kërkuar, me perjashtim të një insitucioni, duke lënë të kuptohet se ky është insitucioni i presidentit të Republikës, sipas të cilit presidenti nuk ka detyrimin të informojë, por ka të drejtën vetëm të marrë informacion nga institucionet.
Top Channel